Menaxherët punojnë në organizata, por jo çdokush që punon në organizatë është menaxher. Ata drejtojnë aktivitetet e personave të tjerë të organizatës. Të klasifikuar zakonisht si menaxherë të lartë, të mesëm ose të nivelit të ulët, këta individë mbikqyrin edhe punonjësit operativë por edhe menaxherët e niveleve më të ulëta.
Menaxherët e nivelit të ulët shpesh quhen mbikqyrës. Ata gjithashtu mund të quhen udhëheqës grupi, trajner ose koordinator njësie.
Menaxherët e mesëm përfaqësojnë nivele të menaxhimit që pozicionohen mes menaxherëve të ulët dhe atyre të nivelit të lartë. Këta individë administrojnë menaxherët e tjerë dhe përgjithësisht janë përgjegjës për konvertimin e qëllimeve të vendosura nga menaxherët e lartë në detaje specifike që mund të kryhen nga menaxherët e nivelit të ulët. Menaxherët e mesëm në organizata mund të kenë disa tituj të tillë si shef departamenti ose drejtor agjensie, drejtues projekti, shef njësie, menaxher rajoni, dekan, peshkop ose menaxher sektori etj.
Në krye të organizatës, gjenden menaxherët e lartë. Këta individë si Bob Simpson XTO ENERGY, A.G.Lafley PROCTER&GAMBLE, Bob Iger WALT DISNEY janë përgjegjës për marrjen e vendimeve rreth drejtimit të organizatave të tyre dhe për vendosjen e politikave që ndikojnë tek të gjithë anëtarët e organizatës. Zakonisht menaxherët e nivelit të lartë kanë tituj të tillë si zëvendëspresident, president, kancelar, drejtor, nëpunës kryesor operativ, nëpunës kryesor ekzekutiv ose kryetar bordi. (STEPHEN P.ROBBINS, 2011)
Çfarë menaxherët bëjnë varet kryesisht nga funksioni dhe niveli i organizatës (tipi, struktura, kultura, madhësia) dhe mjedisi i punës në përgjithësi ( në masën në të cilën është e trazuar, parashikueshme, e vendosur, nën presion, e qëndrueshme). Menaxherë të veçantë do të përshtaten në këto rrethana në mënyra të ndryshme dhe do të veprojnë pak a shumë me sukses në përputhje me përceptimet e tyre dhe sjelljen që pritet prej tyre, përvojës së tyre në lidhje me çfarë ka dhe nuk ka funksionuar në të kaluarën dhe me karakteristikat personale.
Gjatë rrjedhës së një dite të zakonshme, një shef ekzekutiv mund të takohet me drejtorin e marketingut për të diskutuar programin për nisjen e një produkti të ri. Ai mund të takohet me drejtorin e burimeve njerëzore për të vendosur se sa më mirë duhet të riorganizohet departamenti i shpërndarjes. Gjithashtu, mund të takohet me drejtorin e prodhimit për ta pyetur atë se pse kostot e prodhimit janë duke u rritur dhe si duhet ta zgjidhë këtë situatë. Ai mund të takohet me drejtorin e financave për të rishikuar llogaritë e menaxhimit para takimit të ardhshëm të bordit. Ai ose ajo mund të ketë patur një takim me një gazetar për të kryer një intervistë për rreth asaj se si kompania do të japë rezultate më të mira vitin e ardhshëm. Dreka mund të ketë qenë marrë me një klient të madh dhe mbrëmja mund të jetë kaluar me një darkë biznesi. Disa nga këto aktivitete mund të karakterizohen nën titujt e planifikimit, organizimit, drejtimit dhe kontrollit. Fakti që këto proçese imponohen nga situata të ndryshme, ndjehet nevoja e marrjes së një ose disa roleve të natyrshme në punën e menaxherit. (MINTZBERG H. , 2009)
Ato përfshijnë një pjesë të madhe të marrëdhënieve ndërpersonale, komunikimit, përpunimit të informacionit dhe vendimarrjes. (MINTZBERG)
Për të qenë i suksesshëm, një menaxher duhet të zotërojë shumë aftësi. Aftësitë menaxheriale identifikojnë ato zotësi ose sjellje që janë kritike për të patur sukses në një pozicion menaxherial. Ajo që Katz-i dhe të tjerë kanë zbuluar është që menaxherët duhet të zotërojnë katër aftësi kryesore. (STEPHEN P.ROBBINS, 2011)
Duket se pranohet nga të gjithë se menaxherët duhet të kenë katër aftësi të përgjithshme: konceptuale, ndërpersonale, teknike dhe politike.
Një drejtues në një organizatë është zakonisht dikush që ka më shumë eksperiencë. Një drejtues mund të japë mësim, të udhëheqë dhe të inkurajojë. Për shkak se menaxherët i arrijnë gjërat nëpërmjet punës së personave të tjerë, ata duhet të kenë aftësi të mira ndërpersonale për të komunikuar, për të motivuar dhe për të deleguar detyrat.
A është puna e menaxherit e njëjtë në organizata të ndryshme? Nëse menaxhimi është vërtet një disiplinë e përgjithshme atëhere ajo që një menaxher bën duhet të jetë në thelb e njëjtë, pavarësisht nëse ai/ajo është një ekzekutiv i nivelit të lartë ose një mbikqyrës i nivelit të ulët. Puna e tij është e njëjtë pavarësisht se ai punon në një biznes ose në një agjenci qeveritare, korporatë të madhe ose biznes të vogël, në Paris, në Texas etj. Menaxhimi është një aktivitet i përgjithshëm.
Pavarësisht llojit të organizatës ku punon menaxheri, puna e tij ka të përbashkëta me të gjitha pozicionet e tjera menaxheriale. Të gjithë menaxherët marrin vendime, vendosin objektiva, krijojnë struktura organizative të zbatueshme, marrin në punë dhe motivojnë punonjësit, sigurojnë legjitimitet për ekzistencën e organizatës së tyre dhe zhvillojnë mbështetje politike të brendshme në mënyrë që programet të mund të implementohen. Sigurisht ka edhe disa ndryshime që duhet të nxirren në pah. Pra, në menaxhim kemi një rrugëtim dhe një destinacion. Ajo çfarë është e rëndësishme është rrugëtimi. Menaxhimi ka një destinacion universal, por rruga që të çon atje nuk është e njëjtë. Shumë menaxhërë kanë mënyra të ndryshme për të arritur në destinacionin përfundimtar. Duke analizuar këtë rrugë mund të dallojmë menaxherët e mirë nga ata të këqinjtë.
Menaxhimi i një biznesi të vogël është apo jo i ndryshëm nga menaxhimi i një biznesi të madh? Menaxheri i një biznesi të vogël harxhon shumë kohë për të kryer aktivitete jashtë organizatës si, për shembull, të takohet me klientët, të sigurojë financime nga bankat, të kërkojë për mundësi të reja dhe të stimulojë ndryshimet. Në kontrast me të, shumica e detyrimeve të një menaxheri në një biznes të madh e ka përqëndrimin brenda organizatës, të vendosë cili sektor i ndërmarrjes do të finacohet me burimet e lira dhe në çfarë sasie prej tyre. Krahasuar me menaxherët e organizatave të mëdha, menaxherët e bizneseve të vogla kanë më shumë të ngjarë të jenë më përmbledhës. Kjo do të thotë se puna e tyre tenton të kombinojë aktivitetet e e një drejtuesi ekzekutiv të një korporate të madhe me shumë nga aktivitetet e përditshme të një mbikqyrësi të një niveli të ulët. Struktura dhe formaliteti që karakterizojnë punën e një menaxheri në një organizatë të madhe bie në kontrast me informalitetin në firmat e vogla. Në bizneset e vogla, planifikimi është i krijuar jo aq me kujdes sa ai në organizatat e mëdha. Dizenjimi i organizatës në bizneset e vogla është më i thjeshtëzuar dhe kontrolli mbështetet më shumë në vëzhgimin e drejtëpërdrejtë sesa në sistemet e kompjuterizuara dhe të sofistikuara të monitorimit. Gjithsesi, menaxherët edhe në organizatat e vogla edhe në ato të mëdha në thelb kryejnë të njëjtat aktivitete. Ajo që ndryshon është vetëm si i trajtojnë këto aktivitete dhe sa kohë harxhojnë ata për secilin prej tyre. (STEPHEN P.ROBBINS, 2011)
Menaxherët e mirë kthejnë në ar çdo gjë që u prek dora. Ndërsa menaxherët e dobët bëjnë shpesh të kundërtën. Ky parim nuk është harruar për ata të cilët përcaktojnë sistemet e kompensimit dhe të shpërblimit për organizatat. Marrim shembujt e Larry Elison 84.5 milion$ në vit (Oracle), Ray Elliot 33.4 milion$ në vit (Boston Scientic), Ray Irani 31.4 milion$ në vit (Occidental Petrolium) e të tjerë si këta. (10 menaxheret me te paguar ne bote). Kjo tregon qartë se menaxherët zënë një vend shumë të rëdësishëm në tregun e organizatave. Menaxherët tentojnë të jenë më të paguar sesa punonjësit operativë. Ndërkohë që autoriteti dhe përgjegjësitë e një menaxheri rriten, po ashtu rritet edhe paga e tij. Për më shumë ka shumë organizata që janë të gatshme të ofrojnë paketa shpërblimi jashtëzakonisht fitim prurëse për të marrë ose për të mbajtur në punë menaxherë të mirë. Fakti që firmat i paguajnë menaxherët më shumë se jomenaxherët është një tregues mjaft i rëndësishëm që i jepet aftësive të menaxherëve efektivë. Aftësitë e mira menaxheriale janë një “thesar ” i rrallë dhe paketat e shpërblimit janë vetëm një prej treguesve të vlerës që organizatat i japin këtyre aftësive. Megjithatë jo të gjithë menaxherët kanë paga gjashtëshifrore. Këto rroga janë zakonisht vetëm për menaxherët e lartë. Këto rroga vihen në bazë të nivelit që një menaxher zë në një organizatë, gjithashtu, nga arsimi dhe eksperienca, nga lloji i biznesit ku operon dhe sa efektiv është. Shumica e menaxherëve të nivelit të ulët paguhen nga 30.000$ – 50.000$ në vit. Menaxherët e mesëm shpesh fillojnë me 45.000$ – 120.000$ në vit. Ndërsa menaxherët më të lartë, në korporatat e mëdha, mund të fitojnë 1.000.000$ ose më shumë. Një fakt që mbështet pagimin e kësaj shume është që drejtuesit ekzekutivë kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme organizative. Atyre jo vetëm u duhet të menaxhojnë organizatën në mjedisin e sotëm, por atyre u duhet edhe ta mbajnë gjallë atë në të ardhmen. Punët e tyre nuk mbarojnë brenda orarit 9-5, por më tepër se 6-7ditë në javë me 10-14 orë punë në ditë. Nëse punët vlerësohen në bazë të aftësive, njohurive, zotësive dhe përgjegjësive, atëhere drejtuesit ekzekutivë duhet të jenë shumë të paguar. Gjithsesi, duhet theksuar se shifrat e mësipërme nuk i referohen pagave të menaxherëve të vendit tonë. Pagat e tyre janë shumë më të ulta se ato të menaxherëve jashtë vendit. (STEPHEN P.ROBBINS, 2011)